Federata Kombëtare e Pyjeve dhe Kullotave Komunale
“Pyjet… vlerë që përfshin gjenerata”
Pyjet dhe kulltotat zënë rreth gjysmën e sipërfaqes së përgjithshme të Shqipërisë. Në vitin 2016 rreth 80% të fondit pyjor iu transferua Njësive të Qeverisjes Vendore, si një ndër reformat më të mëdha të ndodhura vitet e fundit në Shqipëri sa i përket sektorit të pyjeve.
KUSH JEMI NE?
Federata Kombëtare e Pyjeve dhe Kullotave Komunale është një organizatë jofitimprurëse dhe joqeveritare që përfaqëson interest e rreth 600 mijë përdoruesve të pyjeve dhe kullotave të Shqipërisë. Këta janë individë, familje apo grup familjesh që kujdesen për rreth 30% të tokës pyjore në Shqipëri.
Federata Kombëtare sjell së bashku 11 Federata Rajonale të Pyjeve dhe Kullotave Komunale dhe 260 Shoqata të Përdoruesve të Pyjeve dhe Kullotave. Ajo promovon vlerat e menaxhimit të qëndrueshëm të pyjeve dhe kullotave nga komunitetet vendore, si edhe njohjen e të drejtave të përdorimit/pronësisë.
Ne jemi anëtarë të Koalicionit Ndërkombëtar të Tokës (ILC) dhe Qendrës për Pylltari dhe Zhvillim Rural (REFORD).
Federata Kombëtare e Pyjeve dhe Kullotave Komunale ka një bashkëpunim të vazhdueshëm me Shoqatën e Pronarëve të Pyjeve Privatë të Kosovës. Një ndër produktet e këtij bashkëpunimi është edhe gazeta mujore “Jeto Gjelbër”, në të cilën pasqyrohen çdo muaj përvojat lidhur me pylltarinë private dhe komunale.
Misioni
Misioni i FKPKK është të adresojë dhe përcjellë interesat e anëtarëve të saj për të përshpejtuar decentralizimin dhe ligjërimin e të drejtave të pronësisë/përdorimit për një menaxhim të qëndrueshëm të pyjeve dhe kullotave.
Vizioni
Njohja dhe sigurimi i të drejtave të pronësisë dhe përdorimit, bazuar në traditat më të mira të menaxhimit të pyjeve dhe kullotave nga komunitetet rurale për të parandaluar degradimin e mëtejshëm të burimeve natyrore, për rigjenerimin e pyjeve dhe kulllotave, ruajtjen e biodiversitetit dhe rritjen e të ardhurave për komunitetet rurale.
Për të arritur misionin e saj, FKPKK realizon:
- Koordinimin dhe bashkëpunimin ndërmjet aktorëve vendorë dhe qendrorë;
- Mbrojtjen e interesave të anëtarëve të saj në nivel qendror;
- Lobim dhe advokim për përmirësimin e politikave dhe strategjive në sektorin e pyjeve dhe kullotave;
- Këshillim dhe mbështetje të anëtarëve të saj përmes asistencës teknike;
- Informim dhe ndërgjegjësim të komuniteteve vendore;
- Nxitjen e pjesëmarrjes aktive në qeverisjen shumëfunksionëshe të pyjeve dhe kullotave komunale.
Aktivitetet:
Organizimi i trajnimeve për: (i) masat e sigurisë në punimet pyjore; (ii) krijimin e modeleve të pyllit të familjes; (iii) rrallimet në pyje; (iv) parandalimin e zjarreve në pyje; (v) qeverisjen e pyjeve IPARD; (vi) menaxhimin financiar të shoqatave; (vii) vetëvlerësimin e shoqatave, etj.
Aktivitete lidhur me çështjet gjinore (pasqyrimi i gjendjes aktuale të çështjeve gjinore në pylltari në nivel vendor dhe kombëtar).
Transferimi i të drejtave dhe përgjegjësive të menaxhmit të pyjeve tek Njësitë e Qeverisjes Vendore dhe më tej tek përdoruesit tradicionalë (fshati dhe familjet rurale) është aspekti më i rëndësishëm i reformës në pyje dhe kullota.
Tashmë përvoja tregon që transferimi i përgjegjësive për menaxhimin e pyjeve dhe kullotave tek NjQV-të dhe më tej tek përdoruesit tradicionalë, bazuar në të drejtën dhe traditën e hershme është shumë dobiprurëse dhe e suksesshme, nga e cili përfitojnë familjet rurale, të cilat përbëjnë pothuajse gjysmën e popullsisë në vend.
Shoqata partnere: Shoqata e Pronarëve të Pyjeve Privatë të Kosovës, Shoqata Kombëtare e Pronarëve të Pyjeve Private në Republikën e Maqedonisë, Fondacioni i Zhvillimit të Kapaciteteve Vendore (ALCDF).
Donatorë: Ambasada Suedeze, Banka Botërore, Connecting Natural Values and People (CNVP).