Çështjet e Pylltarisë në Shqipëri

Problematika kryesore: Pyjet komunalë

Politika e qeverisë per transferimin e pronësive pyjore/kullosore dhe instalimin e përgjegjësive ligjore që palët e interesuara duhet të marrin për të garantuar mbrojtjen dhe menaxhimin e qëndrueshëm të pyjeve dhe kullotave komunale, nuk është e plotë.

Për ta zbërthyer këtë formulim le të rendisim më poshtë çështjet dhe nënçështjet që e përbëjnë atë.

Çështja e parë:

 

Transferimi i terreneve pyjorë/kullosorë si pronësi e patundëshme shtetërore (e pa-hipotekuar)  në pronësi të komunave/bashkive (e hipotekuar), është një proçes i papërfunduar ende.

 

  • Aktmarrëveshjet janë bërë në mungesë të pjesëshme informacioni dhe pa pjesmarrjen e plotë e demokratike të komuniteteve dhe palëve të interesuara në komunat/bashkitë. Për këtë arësye kanë mbetur shumë sipërfaqe të pa transferuara të cilat në shumicën dërrmuese të rasteve përbëhen nga grumbuj pyjorë dhe ngastra kullosore të kategorive të para;
  • Një pjesë e konsiderueshme e pasurive të patundëshme pyje/kullota të transferuara formalisht në NjQV-të e vendit, nuk kanë gjetëur ende përdoruesit e tyre tradicionalë për shkak të konflikteve të interesave (të pamotivuara) midis komuniteteve, shtetit dhe NjQV-ve.
  • Proçesi i regjistrimit hipotekor të pasurive të patundëshme pyje/kullota nuk ka filluar akoma për shkak të pagesave të larta tarifore që kërkon ai dhe pamundësisë së përballimit të tyre nga NjQV-të.

Çështja e dytë:

 

Proçesi i transferimit të pyjeve/kullotave në NjQV-të vendit nuk ka përfshirë gjithashtu transferimin paralel të kapaciteteve administrative e menaxhuese për pyjet/kullotat e transferuara.

  • Nevoja për emërimin e një specialisti pyjesh me përvojë në administratën e NjQV-së.
  • Nevoja urgjente për hartimin e një rregulloreje të plotë e të qartë për administrimin e pasurive të patundëshme pyje/kullota të transferuara në të cilën të dalin qartazi rolet dhe përgjegjësitë e palëve të përfshira në proçes;
  • Nevojat urgjente për organizimin e një shërbimi këshillmor të efektshëm dhe rezultativ për komunitetet që do të menaxhojnë terrenet pyjorë/kullosorë;
  • Nevoja për forcimin e kapaciteteve dhe pavarësisë së Shoqatave të përdoruesve të pyjeve dhe kullotave komunale dhe barres fiskale .

Çështja e tretë

 

Paqartësi në lidhje me të drejtat e përdorimit e të pronësisë mbi terrenet e pyjeve dhe kullotave të transferuara në NjQV-të e vendit.

 

  • Të drejtat tradicionale (fisnore, komunitare, vendore) dhe marrëveshjet e pronësisë e të përdorimit ende nuk janë formalizuar. Ky është shkaku i bllokimit të stimujve ekonomikë të cilët mundësojnë ndërmarrjen e nismave komunitare për krijimin e bizneseve kolektive të qëndrueshëm e afatgjatë.

Çështja e katërt

Mungesë e mbështetjes financiare për burimet natyrore në pyje/kullota nëpërmjet skemave subvencionuese që çojnë në zbatimin e politikës së qeverisë për zhvillimin rural.

 

  • Nevoja për subvencione shtetërore të programuara në drejtim të përmirësimit të grumbujve pyjorë, përmirësimit të cilësisë së kullotave natyrore dhe menaxhimit të qëndrueshëm të bimëve mjekësore  që gjenden në këta terrene dhe shtimin e siperfaqeve te Arroreve.
  • Nevoja për mbështetje financiare nëpërmjet projekteve të vegjël dhe Granteve për federatat rajonale dhe shoqatat vendore të përdoruesve të pyjeve dhe kullotave komunale në drejtim të ruajtjes së biodiversitetit natyror në zonat ku ato shtrijnë veprimtarinë e tyre.
  • Planet e menaxhimit te hartohen me te theshta dhe nga vete Shoqatat me pjesmarrjen e komuniteteve dhe te miratohen si deri me sot e te zbatohen nga Shoqatat

Çështja e pestë

 

Mungesa e një kuadri ligjor koherent  i cili do të mundësonte ndarjen dhe qartësimin e roleve dhe përgjegjësive (të drejtave, detyrimeve, penaliteteve, përfitimeve etj) ndërmjet palëve që administrojnë dhe menaxhojnë terrenet pyjorë/kullosorë të transferuar në NjQV-të.

 

Grupi i eksperteve  SHKPKK  (Shkurtuar)

Tirane me 13.Maji 2010